Secondary Adv

Rimbursimi i tatimit të parapaguar për profesionet e lira, Tatimet: Aplikimi i hapur në çdo kohë

Tatimpaguesit e profesioneve të lira që nuk kanë deklaruar saktë të dhënat, mund të aplikojnë për rimbursimin e tatimeve të parapaguara për 2024.

Tatimpaguesit e profesioneve të lira që nuk kanë deklaruar të dhënat e llogarive bankare apo të dhënat e vetëdeklaruara kanë qenë të pasakta dhe nuk kanë përfituar rimbursimin e tatimet të parapaguar për 2024, kanë të drejtë të aplikojnë për kthim të shumës.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron se aplikimet mund të bëhen me kërkesë me shkrim pranë Drejtorive Rajonale përkatëse apo në e-Filing. Aplikimi mund të bëhet në çdo kohë dhe tatimpaguesit nuk e humbasin të drejtën e përfitimit të rimbursimit.

“Administrata Tatimore informon tatimpaguesit që ofrojnë shërbime profesionale që të aplikojnë dhe të paraqesin kërkesën pranë Drejtorisë Rajonale (me letër apo me çështje në eFiling) ku janë të regjistruar në mënyrë që të rimbursohen për këstet e parapaguara të vitit 2024.

Inkurajojmë që këtë proces ta realizojnë të gjithë tatimpaguesit që:

-Kanë pasur pagesa të kthyera si pasojë e të dhënave të pasakta të vetëdeklaruara
-Nuk kanë deklaruar të dhënat e tyre të llogarive bankare në e-Filing

Administrata tatimore sqaron se tatimpaguesit nuk e humbasin të drejtën e rimbursimit të kësteve dhe mund të aplikojnë në çdo moment që e shohin të arsyeshme.

Kujdes! Administrata Tatimore ju bën me dije se kërkesa duhet të përmbajë edhe të dhënat e llogarisë bankare në monedhën lek, e cila duhet të jetë aktive, si dhe të jetë ngarkuar paraprakisht në e-Filing, menuja “Profili Im”, “Të dhënat e bankës””, sqarohet në njoftim.

Përfitues të rimbursimit për tatimin e parapaguar rezultuan në total 27,605 tatimpagues. Pjesa dërrmuese e bizneseve të profesioneve të lira e përfituan rimbursimin në muajin dhjetor 2024.

Ndërsa për subjektet vetëdeklarimi i të dhënave rezultoi i pasaktë apo nuk deklaruan llogaritë bankare në e-Filing, procedura për kthimin e shumave të parapaguara kërkoi më shumë kohë./Monitor(https://monitor.al/rimbursimi-i-tatimit-te-parapaguar-per-profesionet-e-lira-tatimet-aplikimi-i-hapur-ne-cdo-kohe/)


Më të lexuarat